Home > Ballina > Protestuesit zhvendosen para hyrjes së Kuvendit dhe kërkojnë votimin e Ligjit për Specialen

Protestuesit zhvendosen para hyrjes së Kuvendit dhe kërkojnë votimin e Ligjit për Specialen

///
Comments are Off

Protestuesit janë zhvendosur para hyrjes së Kuvendit të Kosovës, ku po vazhdon protesta për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Tubimi i së martës kishte nisur në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa më pas pjesëmarrësit janë afruar drejt objektit të Kuvendit.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet që deputetët të mblidhen dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të procedohet edhe në lexim të dytë.

Protestuesit po qëndrojnë pranë objektit të Kuvendit me simbole dhe thirrje në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta po vazhdon një ditë pas përplasjeve të së hënës para institucioneve shtetërore, kur situata eskaloi mes një pjese të protestuesve dhe Policisë së Kosovës.

Gjatë atyre zhvillimeve, Policia përdori gaz lotsjellës, sprej dhe topin e ujit, ndërsa nga radhët e protestuesve u hodhën mjete piroteknike dhe gjësende të forta.

Bilanci i përditësuar i Policisë është 20 zyrtarë policorë të lënduar, ndërsa ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 protestues dhe një gazetar.

Projektligji për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara është miratuar në lexim të parë me 91 vota për, pa vota kundër dhe pa abstenime, por ende nuk ka kaluar votimin përfundimtar në lexim të dytë.

Protestuesit po kërkojnë që procedura parlamentare të vazhdojë pa vonesa dhe Kuvendi ta përmbyllë votimin e Projektligjit.

Policia e Kosovës ka njoftuar se për protestën e sotme ka ndërmarrë masa për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, ndërsa u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që tubimi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe brenda kornizës ligjore.

Verified by MonsterInsights