Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar se prej muajit korrik ka shfrytëzuar rregullat shtetërore për ta zgjatur procesin politik, ndërsa tani po kërkon veprim urgjent për çështjen e presidentit.
Reagimi i Gjinit erdhi pas deklarimeve të Kurtit lidhur me situatën politike dhe afatin për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
“Prej datës 8 korrik e deri sot i ka abuzuar krejt rregullat shtetërore për të blerë kohë, e sot na tregon sa me urgjencë jemi”, ka shkruar Gjini.
Kreu i Aleancës ka vazhduar me kritika ndaj Kurtit, duke thënë se periudha e qeverisjes së tij po shkon drejt fundit dhe duke e cilësuar atë si një periudhë që, sipas tij, do të mbahet mend për mashtrim politik.
Reagimi vjen në një ditë vendimtare për institucionet e Kosovës. 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri, sipas afatit të përcaktuar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në rast se Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues, vendi përballet me shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja parlamentare.
Gjatë ditëve të fundit, Kurti ka kërkuar marrëveshje mes partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit, duke e konsideruar situatën urgjente dhe duke bërë thirrje për shmangien e një cikli të ri zgjedhor.




