Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur në takim kryeministrin Albin Kurti, në takimin e tyre të parë zyrtar që nga marrja e detyrës nga presidentja e re.
Gjatë takimit, Shiroka-Pula ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve, me synim shërbimin ndaj qytetarëve dhe mbrojtjen e interesave të vendit.
Kurti e ka falënderuar presidenten për gatishmërinë për ta marrë këtë përgjegjësi dhe i ka uruar suksese në detyrën e re.
Kryeministri ka shprehur përkushtimin për të bashkëpunuar me Shiroka-Pulën në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe në çështjet me rëndësi për Republikën e Kosovës.
Pas takimit, Kurti tha se vendi tashmë ka institucione funksionale dhe se nuk ka kohë për të humbur, duke kërkuar bashkërendim për sfidat shtetërore që e presin Kosovën.
Ai tha se gjatë bisedës kishte gjetur mirëkuptim, gatishmëri dhe vullnet për bashkëpunim, ndërsa theksoi se pritjet e qytetarëve kërkojnë veprime dhe rezultate të shpejta.
Takimi vjen një ditë pasi Shiroka-Pula mori zyrtarisht detyrën e presidentes së Kosovës, pas zgjedhjes së saj me 81 vota në Kuvend.




