Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar futjen e 30,550 eurove të padeklaruara në territorin e Kosovës përmes pikës kufitare në Bërnjak.
Gjatë kontrolleve të rregullta, zyrtarët doganorë kanë përzgjedhur për kontroll një automjet me targa të huaja, i cili po hynte në Kosovë.
Udhëtari është pyetur nëse kishte mallra apo mjete monetare për të deklaruar, por ka thënë se nuk kishte asgjë për deklarim.
Pas dyshimeve të krijuara, zyrtarët kanë vazhduar me kontrollin e automjetit dhe kontrollin personal të udhëtarit.
Gjatë kontrollit të veturës, në një hapësirë të fshehtë në dysheme janë gjetur 30,550 euro para të gatshme, të cilat nuk ishin deklaruar.
Legjislacioni në fuqi obligon çdo person që hyn ose del nga Kosova dhe bart 10 mijë euro ose më shumë të deklarojë me shkrim shumën dhe burimin e verifikueshëm të mjeteve monetare pranë zyrtarit doganor.
Dogana ka theksuar se kontrollet synojnë parandalimin e kontrabandës, qarkullimit të paligjshëm të parave dhe veprimtarive të tjera të kundërligjshme.







