Egzon Bogujevci dyshohet se është njëri nga dy personat që humbën jetën pas të shtënave me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, pasditen e së premtes, më 9 tetor.
Bogujevci është identifikuar paraprakisht si vëllai i gruas që mbeti gjithashtu e vrarë në këtë ngjarje të rëndë. Emri i tij ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
I dyshuar për vrasjen e dyfishtë është përmendur Valon Ramushi, bashkëshorti i gruas së vrarë dhe dhëndri i Bogujevcit. Edhe identiteti i tij mbetet i raportuar paraprakisht.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se nga të shtënat kanë humbur jetën dy persona, një burrë dhe një grua, të dy rreth moshës 30-vjeçare, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur.
Ngjarja është raportuar në Polici rreth orës 14:25. Viktima mashkull është gjetur brenda një veture, ndërsa gruaja është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan.
Personi i plagosur, pasi ka marrë ndihmën e parë në Gjilan, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Ndërkohë, Policia ka bërë të ditur se i dyshuari është vetëdorëzuar dhe se gjatë veprimeve hetimore është sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e krimit.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe dy prokurorë të shtetit, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të vrasjes së dyfishtë.







