Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim myftiun Naim Tërnava, me të cilin ka diskutuar për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe angazhimet e nevojshme në procesin e apelit.
Takimi është zhvilluar pasditen e së premtes, më 9 tetor, ndërsa në qendër të diskutimeve ishte edhe vendimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në njoftimin për takimin, aktgjykimi është cilësuar si i padrejtë dhe i pasaktë, ndërsa është diskutuar edhe puna që duhet bërë për të synuar një rezultat të suksesshëm në shkallën e apelit.
Ky diskutim vjen pas vendimit të 16 shtatorit, kur Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën fajtorë katër ish-udhëheqësit e UÇK-së për krime lufte.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Vendimi është i shkallës së parë dhe mund t’i nënshtrohet shqyrtimit në apel.
Kurti ka deklaruar edhe më herët se aktgjykimi përmban pasaktësi faktike, historike dhe ligjore, të cilat, sipas tij, duhet të korrigjohen gjatë shqyrtimit në shkallën e dytë. Ai ka kërkuar gjithashtu një strategji shtetërore dhe kombëtare për trajtimin e kësaj çështjeje.
Përveç zhvillimeve në Hagë, gjatë takimit me myftiun Tërnava është diskutuar edhe për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkësisë Islame, ecurinë e projekteve të përbashkëta, solidaritetin qytetar dhe zhvillimet politike në vend e rajon.
Tërnava e ka uruar Kurtin për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente të Kosovës, duke vlerësuar se ky zhvillim ka shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare dhe ka mundësuar kthimin drejt stabilitetit institucional.
Në përfundim të takimit, Kurti ka shprehur mirënjohje për rolin dhe kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në shërbim të qytetarëve.







