Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është takuar të martën në Prishtinë me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, me të cilët ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimit, Abdixhiku ka kërkuar rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në, duke theksuar nevojën për forcimin e besimit dhe bashkëpunimit me aleatin amerikan.
“Në takim theksova nevojën për rikthimin në Dialogun Strategjik me SHBA-në”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai ka theksuar se forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve kërkon përkushtim, përgjegjësi dhe veprime konkrete, ndërsa i ka falënderuar senatorët për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës.
Kreu i LDK-së ka vlerësuar gjithashtu kontributin amerikan në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke i cilësuar Shaheen dhe Durbin si miq të çmuar të vendit.
Abdixhiku ka theksuar se miqësia me Shtetet e Bashkuara është pjesë e identitetit politik të LDK-së dhe se ruajtja e forcimi i këtij partneriteti mbetet një angazhim i përhershëm.
Dialogu Strategjik i planifikuar ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së ishte pezulluar nga Uashingtoni më 12 shtator 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë së atëhershme në detyrë dhe ndikimin e tyre në stabilitetin rajonal.
Takimi i Abdixhikut me senatorët amerikanë vjen në kuadër të vizitës së tyre në Kosovë, gjatë së cilës Shaheen dhe Durbin janë takuar edhe me presidenten Justina Shiroka-Pula dhe kryeministrin Albin Kurti.







