Home > Lajme > Erdogan uron presidenten Shiroka-Pula, premton vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën

Erdogan uron presidenten Shiroka-Pula, premton vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën

///
Comments are Off

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka dërguar një letër urimi presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, me rastin e marrjes së detyrës, duke shprehur përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Në letrën e tij, Erdogan ka përcjellë urimet më të sinqerta në emër të popullit turk dhe në emrin e tij personal, duke shprehur besimin se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë do të vazhdojnë të zhvillohen edhe gjatë mandatit të presidentes së re.

Presidenti turk ka vënë theksin te bashkëpunimi shumëdimensional ndërmjet dy shteteve, si dhe te rëndësia e këtij partneriteti për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Kam besim të plotë se bashkëpunimi ynë shumëdimensional do të vazhdojë të zhvillohet edhe në periudhën e ardhshme. Nuk kam dyshim se kontributi i këtij bashkëpunimi në stabilitetin dhe paqen rajonale do të vazhdojë të rritet edhe gjatë mandatit të Shkëlqesisë Suaj”, thuhet në letrën e Erdoganit.

Në përfundim të mesazhit, presidenti turk i ka uruar Shiroka-Pulës shëndet dhe suksese, ndërsa qytetarëve të Kosovës paqe dhe mirëqenie.

Urimi i Erdoganit vjen pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente të Kosovës më 7 tetor, kur ajo mori 81 vota në Kuvend.

Kosova dhe Turqia kanë marrëdhënie të ngushta diplomatike, ekonomike dhe të sigurisë, ndërsa Ankaraja vazhdon të jetë një nga partnerët mbështetës të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Verified by MonsterInsights