Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka zbuluar detaje nga vizita e tij te ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke pretenduar se bisedat që kishte zhvilluar me ta ishin incizuar.
Gjatë një interviste në emisionin “Frontal”, Qelaj ka treguar se në hapësirën ku ishte takuar me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin ishin vendosur dy kamera sigurie.
Ai ka deklaruar se gjatë takimit kishte qenë i pranishëm edhe një roje, i cili, sipas tij, kishte përcjellë bisedën nga dera.
Qelaj ka shprehur bindjen se komunikimi i tij ishte regjistruar, duke e cilësuar mënyrën e trajtimit si fyese për pozitën që mban.
“Ka qenë një prej rasteve që jam ndi i ofenduar”, ka deklaruar Qelaj, duke shtuar se ishte ndier i trajtuar pa dinjitet në cilësinë e Avokatit të Popullit.
Kjo nuk është hera e parë që Qelaj ngre shqetësime për kushtet e vizitave në Dhomat e Specializuara. Ai kishte deklaruar më herët se gjatë takimeve nuk i ishte lejuar të mbante shënime, ndërsa kishte shprehur shqetësime për monitorimin e komunikimeve të të paraburgosurve.
Deklaratat e tij vijnë në ditën kur Institucioni i Avokatit të Popullit prezantoi një raport të ri për funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Në këtë raport janë ngritur shqetësime lidhur me transparencën, llogaridhënien, kohëzgjatjen e paraburgimit dhe mbikëqyrjen e proceseve gjyqësore.
Megjithatë, pretendimi i Qelajt se bisedat janë incizuar nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur nga Dhomat e Specializuara.







