Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gani Geci, ka mohuar se e ka kanosur gazetarin Lirim Mehmetaj, duke deklaruar para Gjykatës Themelore në Prishtinë se qëllimi i tij ishte mbrojtja e familjes.
Deklaratat e Gecit janë bërë të ditura pas publikimit të vendimit gjyqësor, me të cilin atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh, nën dyshimin për veprën penale të kanosjes.
Gjatë seancës dëgjimore të mbajtur të mërkurën, më 14 tetor, Geci ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke deklaruar se nuk kishte ndërmend të arratisej dhe se nuk kishte kërcënuar askënd.
Ai ka pretenduar se Prokuroria ishte përqendruar në provat kundër tij, duke mos u kushtuar vëmendje të mjaftueshme provave shfajësuese.
Sipas vendimit të gjykatës, Geci ka deklaruar se nuk ishte arratisur asnjëherë dhe se në rastin konkret nuk ekzistonte rreziku që të ndikonte te dëshmitarët.
Ai ka pohuar se i vetmi dëshmitar ishte babai i gazetarit Lirim Mehmetaj dhe se nuk kishte mundësi të ushtronte ndikim ndaj tij.
Sa i përket dyshimeve për përsëritjen e veprës penale, ish-deputeti ka këmbëngulur se kishte kërkuar vetëm mbrojtjen e familjes së tij dhe jo kërcënimin e gazetarit.
Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë pretendon se Geci kishte kanosur Mehmetajn më 11 tetor, gjatë një takimi në zyrat e portalit ku punon gazetari.
Sipas dosjes së Prokurorisë, përplasja kishte nisur pas një postimi të Mehmetajt në Facebook lidhur me deputetin Fatos Geci, për të cilin ish-deputeti dyshohet se kishte kërkuar largimin ose ndryshimin e përmbajtjes.
Gjatë seancës, prokurori Blerim Igrishta ka mbështetur kërkesën për paraburgim, ndërsa avokati mbrojtës, Besnik Berisha, e ka kundërshtuar atë, duke pretenduar se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për një masë të tillë.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke vlerësuar se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale ose i ushtrimit të presionit ndaj të dëmtuarit.
Avokati Berisha ka paralajmëruar se vendimi do të kundërshtohet në Gjykatën e Apelit, duke e cilësuar masën e paraburgimit si të panevojshme.
Gani Geci mbetet i dyshuar në këtë fazë të procedurës, ndërsa caktimi i paraburgimit nuk përbën vendim përfundimtar për fajësinë e tij.







