Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar pas përdorimit të flamurit të UÇK-së gjatë protestave të dhunshme në Tiranë, duke dënuar çdo përpjekje për ta lidhur këtë simbol me vandalizmin, shkatërrimin dhe plaçkitjet.
Përmes një reagimi publik të enjten, më 15 tetor, OVL-UÇK ka theksuar se flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfaqëson luftën për liri, dëshmorët e kombit dhe sakrificën e bërë për çlirimin e Kosovës.
Sipas organizatës, ky simbol nuk mund të përdoret për të justifikuar veprime që dëmtojnë pronën publike apo private.
Veteranët kanë theksuar se e drejta për të protestuar u takon të gjithë qytetarëve, por pakënaqësitë ndaj institucioneve nuk mund të shërbejnë si arsyetim për përdorimin e dhunës nën flamurin e UÇK-së.
Në reagimin e saj, organizata ka kërkuar që simboli i UÇK-së të mos lidhet me dhunën, shkatërrimin dhe plaçkitjet, duke u bërë thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave që të ruajnë dinjitetin e tij.
Reagimi vjen pas protestës së 14 tetorit në Tiranë, gjatë së cilës u regjistruan përplasje të ashpra mes protestuesve dhe Policisë, si dhe dëmtime të institucioneve dhe bizneseve.
Në pamjet e publikuara gjatë protestës shihet një person i maskuar që valëvit flamurin e UÇK-së mbi koshat e mbeturinave të përfshirë nga flakët, ndërsa protestues të tjerë brohorasin për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Përdorimi i flamurit në këto rrethana ka nxitur reagime edhe nga përfaqësues politikë në Shqipëri.
OVL-UÇK u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të respektojnë simbolin e luftës çlirimtare dhe të mos e përdorin atë në veprime që bien ndesh me vlerat që, sipas organizatës, ai përfaqëson.







