Home > Lajme > Një muaj nga dënimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Çitaku: Nuk do t’i lëmë vetëm, do të luftojmë në Apel

Një muaj nga dënimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Çitaku: Nuk do t’i lëmë vetëm, do të luftojmë në Apel

///
Comments are Off

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar në njëvjetorin mujor, përkatësisht një muaj pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke përsëritur përkushtimin për mbështetjen e tyre në procesin e Apelit.

Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara shpallën fajtorë për krime lufte Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke i dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.

Përmes një reagimi në Facebook, të premten, më 16 tetor, Çitaku e ka cilësuar aktgjykimin si të padrejtë, duke theksuar se muaji i fundit ka qenë i rëndë për të dënuarit, familjet e tyre dhe qytetarët që besojnë në drejtësinë e luftës çlirimtare.

Ajo ka kujtuar edhe protestat që, sipas saj, u zhvilluan për 21 ditë radhazi në kundërshtim të vendimit të Gjykatës Speciale, duke theksuar solidaritetin e qytetarëve me ish-krerët e UÇK-së.

Sipas Çitakut, zhvillimet pas aktgjykimit kanë rikthyer në qendër të vëmendjes rëndësinë e mbrojtjes së historisë dhe vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nënkryetarja e PDK-së ka bërë të ditur se tashmë janë ndërmarrë hapa konkretë për mbështetjen e ekipeve mbrojtëse në procesin e Apelit, me synimin për rrëzimin e aktgjykimit të shkallës së parë.

Ajo ka kërkuar angazhim serioz të institucioneve shtetërore dhe shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve në dispozicion për mbështetjen e këtij procesi.

“Çlirimtarët tanë nuk do t’i lëmë vetëm. Në asnjë ditë. Në asnjë betejë”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka përsëritur se do të qëndrojnë pranë ish-krerëve të UÇK-së deri në kthimin e tyre në Kosovë.

Deklarata vjen dy ditë pasi Qeveria e Kosovës, më 14 tetor, miratoi themelimin e Grupit Punues për hartimin dhe bashkërendimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e Apelit në Hagë.

Grupi do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe do të përfshijë përfaqësues institucionalë dhe parlamentarë.

Sipas aktgjykimit të 16 shtatorit, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.

Trupi gjykues i shpalli fajtorë për disa krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Aktgjykimi nuk është i formës së prerë. Paneli i Apelit ka caktuar 27 nëntorin 2026 si afatin për dorëzimin e njoftimeve të apelit nga mbrojtja dhe Prokuroria.

Verified by MonsterInsights