Komuna e Prishtinës është gjobitur me 5 mijë euro nga Inspektorati i Mjedisit, pasi Drejtoria e Inspekcionit nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për menaxhimin e mbeturinave vëllimore dhe deponive të dheut.

Vendimin e ka bërë të ditur të shtunën, më 24 tetor, ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, e cila ka njoftuar se gjatë inspektimeve në deponinë e dheut të Ndërmarrjes Publike Lokale “Gjelbër” dhe në hapësirat përreth janë konstatuar mbeturina vëllimore të hedhura jashtë zonës së përcaktuar për deponim.

Sipas Pacollit, Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës ishte njoftuar disa herë për këtë problem, por nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e situatës.

Për shkak të moskryerjes së detyrave dhe përgjegjësive ligjore, Inspektorati i Mjedisit ka shqiptuar gjobën prej 5 mijë eurosh ndaj drejtorisë komunale.

Ministrja ka kërkuar përgjegjësi më të madhe nga institucionet publike në mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar se zbatimi i ligjit duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.

“Ligji vlen për të gjithë njësoj!”, ka shkruar Pacolli.

Ajo ka theksuar gjithashtu se institucionet duhet të shërbejnë si shembull në parandalimin e ndotjes dhe menaxhimin e mbeturinave, në vend që të neglizhojnë përgjegjësitë e tyre ligjore.

Ky vendim vjen në një periudhë kur menaxhimi i mbeturinave vazhdon të jetë ndër problemet e diskutuara në kryeqytet.

Në maj të këtij viti, Inspektorati i Mjedisit kishte shqiptuar një tjetër gjobë prej 5 mijë eurosh ndaj Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit në Prishtinë, për shkelje të konstatuara në deponinë e mbeturinave inerte në Matiçan.

Rasti i fundit, megjithatë, lidhet me përgjegjësitë e Drejtorisë së Inspekcionit për mbeturinat vëllimore në deponinë e ndërmarrjes “Gjelbër”.