Është identifikuar motoçiklisti që humbi jetën në aksidentin e rëndë të trafikut, i cili ndodhi mbrëmjen e së shtunës në rrugën Prishtinë–Ferizaj, në fshatin Llapnasellë.
Sipas informacioneve të publikuara, viktima është Çlirim Aliu, 22 vjeç, i cili pësoi lëndime fatale në një aksident ku u përfshinë motoçikleta që drejtonte dhe dy automjete.
Ngjarja ndodhi më 24 tetor, rreth orës 23:11, përballë objektit “Day to Day” në Llapnasellë.
Në aksident u përfshinë një motoçikletë e tipit Yamaha dhe dy vetura, një Volkswagen Passat dhe një BMW.
Si pasojë e përplasjes, 22-vjeçari humbi jetën në vendin e ngjarjes. Vdekja e tij u konstatua nga ekipi mjekësor që mbërriti në vendngjarje.
Menjëherë pas aksidentit, në vend dolën njësitë policore dhe hetuesit e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor, të cilët nisën ekzaminimin e vendit dhe mbledhjen e provave për të sqaruar rrethanat e përplasjes.
Për rastin u njoftua edhe Prokurori i Shtetit, ndërsa trupi i pajetë i viktimës u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.
Policia e Kosovës e kishte konfirmuar aksidentin fatal në raportin e saj fillestar, duke e përshkruar viktimën si një mashkull rreth 30 vjeç, identiteti i të cilit ende nuk dihej. Më vonë, raportimet mediatike e identifikuan atë si 22-vjeçarin Çlirim Aliu.
Ende nuk janë sqaruar shkaqet që çuan deri te aksidenti, ndërsa hetimet e autoriteteve kompetente po vazhdojnë.






