Protesta për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe për të gjitha gratë e vrara ka vazhduar të enjten në Prishtinë, për të dytën ditë me radhë. Protestuesit janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga kanë paralajmëruar marshimin drejt institucioneve të vendit, duke kërkuar përgjegjësi për trajtimin e rastit të 49-vjeçares nga Vitomirica e Pejës.

Kërkesat kryesore të protestuesve janë dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ata kërkojnë gjithashtu hetim të plotë për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve që duhej të trajtonin kërkesat e Arlinda Zekajt për mbrojtje.

Marshimi është paralajmëruar të përfshijë Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin Prokurorial të Kosovës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës.

Protesta vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Para vrasjes, ajo u ishte drejtuar institucioneve me shqetësime për sigurinë e saj dhe kishte kërkuar ndihmë për situatën me të cilën po përballej.

Organizatorët kërkojnë që përgjegjësit eventualë institucionalë të hetohen dhe, nëse konstatohen shkelje të detyrave, të përballen me përgjegjësi ligjore. Ata kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Rasti ka nxitur reagime publike dhe kërkesa për ndryshime konkrete në mënyrën se si institucionet e Kosovës i trajtojnë rastet e dhunës në familje dhe kërcënimet ndaj grave.