Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Në mesin e të suspenduarve, sipas raportimit të Veriu.info, është edhe togeri Faruk Muqolli, i cili ishte përmendur në një audioincizim të publikuar nga emisioni hulumtues “MAT”.
Vendimi për suspendimin e zyrtarëve është marrë nga menaxhmenti i Policisë së Kosovës, bazuar në rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Sipas njoftimit të Policisë, masat përfshijnë ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal në Pejë, shefin e hetimeve rajonale, komandantin dhe zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, shefin e hetimeve në stacion, ushtruesin e detyrës së shefit të operativës, komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë.
Ndaj zyrtarëve është duke u zhvilluar hetim paraprak nga IPK-ja, për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e tyre në trajtimin e rastit.
Faruk Muqolli ishte përmendur në audioincizimin e publikuar
Emri i togerit Faruk Muqolli u bë publik pas publikimit të një audioincizimi të bisedës së tij me Arlinda Zekajn, disa ditë para vrasjes së saj.
Në incizim, Arlinda dëgjohet duke kërkuar zbatimin e vendimit për urdhërmbrojtje dhe duke shprehur shqetësimin për sigurinë e saj dhe të djalit. Gjatë bisedës, zyrtari policor dëgjohet duke i thënë se nuk e ka obligim të merret me të.
Publikimi i bisedës nxiti reagime dhe kërkesa për hetim të mënyrës se si institucionet policore i kishin trajtuar raportimet e saj para vrasjes.
Suspendimi i 11 zyrtarëve synon të mundësojë hetime të pavarura dhe shqyrtimin e përgjegjësive individuale e institucionale. Përgjegjësia eventuale e secilit zyrtar duhet të përcaktohet përmes procedurave përkatëse hetimore.






