Ndërsa protestuesit kanë mbushur rrugët e Prishtinës duke kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale, kryeministri Albin Kurti ka publikuar një reagim lidhur me miratimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në postimin e tij, Kurti ka falënderuar deputetët që votuan për projektligjin në lexim të dytë, duke theksuar se procesi ishte vonuar për më shumë se tre vjet e gjysmë.
“Na vonuan për më shumë se tre vjet e gjysmë, por nuk do të na ndalin në synimin tonë të drejtë e të shumëpritur që pasurimi në Republikën tonë të jetë i drejtë, i pastër dhe në përputhje me të hyrat”, ka shkruar Kurti.
Kuvendi i Kosovës e miratoi projektligjin më 29 tetor, me 66 vota për, shtatë abstenime dhe asnjë votë kundër. LDK-ja abstenoi, ndërsa deputetët e PDK-së nuk morën pjesë në votim. Nacional E+1
Projektligji synon krijimin e një mekanizmi shtetëror për verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe përcaktimin e procedurave për konfiskimin e saj, në përputhje me ligjin.
Kurti ka rikujtuar gjithashtu se ligji ishte dërguar dy herë në Gjykatën Kushtetuese, fillimisht në shkurt të vitit 2023 dhe më pas në dhjetor të vitit 2024. Sipas tij, miratimi i ri përbën një hap drejt realizimit të këtij mekanizmi.
Ndërkohë, në rrugët e Prishtinës kanë vazhduar protestat për drejtësi për Arlinda Zekajn, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Protestuesit kërkojnë përgjegjësi për mënyrën se si institucionet e trajtuan rastin e saj para vrasjes.
Gjatë protestës, ata kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe hetimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve që dyshohet se kanë neglizhuar rastin.
Organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave deri në përmbushjen e kërkesave për llogaridhënie institucionale dhe masa më të efektshme për mbrojtjen e grave nga dhuna.






