Fehmi Hoti është caktuar ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, pas dorëheqjes së Gazmend Hoxhës nga kjo pozitë.
Lajmi është bërë i ditur më 30 tetor përmes një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, ku bëhet e ditur se kryeministri Albin Kurti e ka pranuar kërkesën për dorëheqje të Hoxhës dhe e ka liruar atë nga detyra.
Sipas njoftimit, pas propozimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kurti ka caktuar Fehmi Hotin në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm.
Qeveria ka vlerësuar kontributin dhe angazhimin e Gazmend Hoxhës gjatë kohës sa ka udhëhequr Policinë e Kosovës. Në njoftimin për dorëheqjen nuk është bërë e ditur arsyeja e largimit të tij.
Kush është Fehmi Hoti?
Fehmi Hoti është kolonel i Policisë së Kosovës dhe deri në këtë emërim ka mbajtur pozitën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni, që nga viti 2021.
Gjatë karrierës së tij ka ushtruar disa pozita drejtuese, përfshirë drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, nga viti 2019, si dhe drejtorin e Divizionit për Hetimin e Krimit, nga viti 2010 deri më 2019.
Karrierën policore e kishte nisur në vitin 2002 si zyrtar patrullues në Stacionin Policor në Rahovec. Ai ka përfunduar studimet Master në Shkenca Juridike dhe studimet në Fakultetin e Shkencave Politike, në drejtimin e Politikave të Sigurisë.
Hoti kishte ushtruar këtë detyrë edhe më parë, nga gushti i vitit 2022 deri në mars të vitit 2023, kur ia dorëzoi pozitën Gazmend Hoxhës.
Gazmend Hoxha ishte emëruar drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës në mars të vitit 2023.






