Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mbërritur në objektin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ku pritet të intervistohet lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.
Sipas raportimeve mediatike, Rama pritet të merret në pyetje në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa paraqitja e tij në Prokurorinë Speciale është konfirmuar edhe përmes pamjeve nga vendi i ngjarjes.
Dyshimet që lidhen me këtë projekt kanë të bëjnë me procedurat e prokurimit publik, vlerën e kontratës prej 12 milionë eurosh, manipulimin e mundshëm të stafit dhe konfliktin e interesit.
Kontrata për themelimin e shërbimit “Arkitekti i Kryeqytetit” ishte paraparë të kishte kohëzgjatje prej 36 muajsh dhe vlerë prej 12 milionë eurosh.
Projekti ishte kritikuar nga përfaqësues të opozitës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, të cilët kishin ngritur pikëpyetje për arsyeshmërinë e kësaj kontrate dhe mënyrën e zhvillimit të procedurave të prokurimit.
Prokuroria Speciale kishte konfirmuar që në qershor të vitit 2024 se rasti ishte duke u trajtuar nga ky institucion, por në atë kohë nuk kishte dhënë informacione të tjera për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve.
Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk është bërë publik ndonjë njoftim zyrtar nga Prokuroria Speciale që konfirmon përfundimin e intervistimit apo statusin procedural të Ramës.






