Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka shprehur shqetësimin se Projektligji për Akademinë e Drejtësisë mund të cenojë pavarësinë e këtij institucioni, duke kërkuar që në të të përfshihen rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Përmes një reagimi publik të martën, Tahiri ka theksuar se Akademia e Drejtësisë luan rol të rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve profesionale të sistemit të drejtësisë, veçanërisht të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Sipas tij, Akademia duhet të ketë kapacitete të mjaftueshme për organizimin e trajnimeve bashkëkohore dhe cilësore, por pa e humbur pavarësinë e saj institucionale.

Deputeti i AAK-së ka vlerësuar se dispozitat e projektligjit ngrenë shqetësime serioze për këtë pavarësi, prandaj ka kërkuar që rekomandimet e Komisionit të Venecias të merren parasysh gjatë procesit legjislativ.

Tahiri ka paralajmëruar se reforma në drejtësi nuk duhet të zhvillohet në mënyrë që dobëson institucionet përgjegjëse për mbështetjen e sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

Ndërkohë, Komisioni i Venecias, në opinionin e miratuar në mars të vitit 2025 për ndryshimet e propozuara në Ligjin për Akademinë e Drejtësisë, kishte rekomanduar forcimin e garancive për pavarësinë e këtij institucioni.

Ndër rekomandimet kryesore ishin rritja e përfaqësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Këshillin Drejtues, largimi i ministrit të Drejtësisë nga ky këshill dhe përcaktimi më i qartë i procedurave për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të organeve të Akademisë.

Projektligji i ri për Akademinë e Drejtësisë, me numër 11/L-011, është dorëzuar në Kuvend më 29 shtator 2026 dhe është miratuar në lexim të parë më 5 tetor.

Më 3 nëntor, Grupi Punues i Komisionit Parlamentar për Legjislacion ka vazhduar diskutimet për projektligjin, duke shqyrtuar propozimet që lidhen me funksionimin, strukturën drejtuese dhe pavarësinë e Akademisë.