Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) po vazhdon mbështetjen e procesit të reformës në drejtësi, me fokus të veçantë përmirësimin e Projektligjit për Akademinë e Drejtësisë dhe garantimin e pavarësisë së këtij institucioni.

Të martën, më 3 nëntor, është mbajtur një punëtori e Grupit Punues të Komisionit Parlamentar për Legjislacion, ku janë diskutuar propozimet dhe komentet lidhur me projektligjin.

Në qendër të diskutimeve ishin funksionimi i Akademisë së Drejtësisë, pavarësia institucionale, përbërja dhe përgjegjësitë e organeve drejtuese, si dhe përmirësimi i sistemit të trajnimit për gjyqtarët dhe prokurorët.

KDI synon që përmes përfshirjes në këtë proces të kontribuojë në krijimin e zgjidhjeve ligjore të qëndrueshme, të cilat forcojnë profesionalizmin, pavarësinë dhe llogaridhënien në sistemin e drejtësisë.

Diskutimet për projektligjin pritet të vazhdojnë edhe gjatë takimeve të ardhshme të Grupit Punues, ku do të shqyrtohen më hollësisht propozimet konkrete për ndryshimet e nevojshme.

Projektligji për Akademinë e Drejtësisë, me numër 11/L-011, është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës më 29 shtator 2026, ndërsa është miratuar në lexim të parë më 5 tetor, si pjesë e pakos së reformës në drejtësi.

Më 14 tetor, Komisioni Parlamentar për Legjislacion kishte vendosur formimin e grupeve punuese për shqyrtimin e projektligjeve të kësaj pakoje.

Ndërkohë, në raportin e publikuar më 16 tetor, KDI kishte vlerësuar se reforma në drejtësi kishte shënuar përparim kryesisht në procedura, por se rezultatet konkrete në zbatimin e ndryshimeve ligjore mbeteshin ende për t’u dëshmuar.

Sipas këtij instituti, suksesi i reformës nuk duhet të matet vetëm me miratimin e ligjeve, por edhe me ndikimin e tyre në forcimin e pavarësisë, integritetit dhe efikasitetit të institucioneve të drejtësisë.