Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi të angazhohen për garantimin e një procesi të drejtë gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.

Deklarata e saj vjen pas takimit të grupit punues për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me apelimin e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Lushaku-Sadriu ka theksuar se qëllimi i kësaj nisme është të koordinohet angazhimi institucional i Kosovës, duke pasur në qendër respektimin e të drejtave të njeriut dhe procedurave gjyqësore.

“Ky grup synon që shteti i Kosovës të krijojë një strategji shtetërore kundrejt procesit i cili është në Hagë, me qëllim final që të ketë një proces fer, duke mbrojtur të drejtat e njeriut, procedurat dhe gjithë përshkrimin e punës që ka vetë gjykata”, ka deklaruar ajo për Klan Kosovën.

Deputetja e LDK-së ka kërkuar që institucionet të ndërmarrin të gjitha veprimet e mundshme për të mbështetur një proces që respekton standardet e drejtësisë.

“Si shtet e kemi obligim që të bëjmë gjithçka që të sigurojmë që atje të ketë një gjykim fer, një proces fer dhe që i del ballë këtij gjykimi, duke ofruar të gjitha kushtet dhe procesin sa më të drejtë”, ka thënë Lushaku-Sadriu.

Të shtunën, më 7 nëntor, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës është zhvilluar takimi i radhës i grupit punues, nën drejtimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Në takim kanë marrë pjesë përfaqësues nga disa subjekte politike, përfshirë Vlora Çitakun nga PDK-ja, Jehona Lushaku-Sadriun nga LDK-ja, Bekë Berishën nga AAK-ja dhe Adnan Rrustemin nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pas takimit, Çitaku bëri të ditur se janë arritur disa marrëveshje, por pjesëmarrësit janë pajtuar që diskutimet dhe detajet e punës së grupit të mbeten konfidenciale.

Grupi punues është themeluar për të koordinuar mbështetjen institucionale, juridike dhe diplomatike lidhur me procedurën e apelimit në Hagë.

Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet, për krime lufte.

Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe mund t’i nënshtrohet shqyrtimit në procedurën e apelit. Përfaqësuesit politikë po diskutojnë mundësitë e mbështetjes së kësaj faze, ndërsa vendimmarrja gjyqësore mbetet në kompetencën e pavarur të Dhomave të Specializuara.