Ismet Mekani, i akuzuar për kanosjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar fajësinë gjatë seancës fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por pranimi i tij është refuzuar nga gjykata.
Në seancën e mbajtur të hënën, më 16 nëntor, Mekani deklaroi se veprimet për të cilat akuzohet i kishte kryer nën ndikimin e alkoolit, duke pretenduar se nuk kishte qenë plotësisht i vetëdijshëm për fjalët e tij.
I akuzuari, i cili tha se është ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jeton e punon në Itali, deklaroi se ishte ndier i provokuar nga komentet e personave që, sipas tij, ishin shprehur të kënaqur me burgosjen e ish-krerëve të UÇK-së.
Ai pretendoi se kishte reaguar emocionalisht për shkak të përjetimeve të tij gjatë luftës dhe se nuk kishte pasur ndonjë plan për ta realizuar kërcënimin.
“Kam humb vetëdijen, çka kam thënë, kam thënë pa vetëdije në ndikim të alkoolit”, deklaroi Mekani para gjykatës.
Mbrojtësi i tij, avokati Argjend Sefa, kërkoi që pranimi i fajësisë të merrej parasysh, duke argumentuar se deklarimi ishte bërë në mënyrë vullnetare dhe në përputhje me ligjin.
Edhe prokurori Rafet Halimi u pajtua me pranimin e fajësisë nga i akuzuari.
Megjithatë, gjyqtarja Donikë Shala-Abdyli vendosi ta refuzojë pranimin, me arsyetimin se ai nuk gjen mbështetje të mjaftueshme në provat që ndodhen në shkresat e lëndës.
Pas këtij vendimi, gjykata njoftoi palët se kanë afat prej 30 ditësh për të paraqitur kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave. Nëse nuk paraqitet një kërkesë e tillë, çështja do të kalojë në shqyrtim gjyqësor.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 gusht 2026 nga Prokuroria Speciale, Mekani dyshohet se më 10 tetor 2024 e kishte kanosur publikisht me vrasje kryeministrin Albin Kurti.
Prokuroria pretendon se ai kishte publikuar komente kërcënuese në rrjetin social TikTok, përmes profilit me emrin “Ismet Drenoci”, në një postim që lidhej me Terminalin Doganor në Han të Elezit.
Në aktakuzë thuhet se komentet përmbanin kërcënime të drejtpërdrejta ndaj Kurtit dhe se veprimet ishin kryer me qëllim të frikësimit të tij në lidhje me pozitën zyrtare.
Mekani akuzohet për veprën penale “Kanosja”, sipas nenit 181 të Kodit Penal të Kosovës.
Në seancë ishte i pranishëm i akuzuari së bashku me avokatin dhe prokurorin, ndërsa kryeministri Albin Kurti nuk mori pjesë, megjithëse ishte ftuar rregullisht.
Me refuzimin e pranimit të fajësisë, procedura ndaj Mekanit vazhdon dhe përgjegjësia e tij penale mbetet për t’u përcaktuar nga gjykata.






