Numri i rasteve me fruth në Kosovë po vazhdon të rritet, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 37 raste të reja, duke e çuar në 336 numrin e përgjithshëm të të infektuarve që nga mesi i muajit prill.

Sipas të dhënave të publikuara të hënën, më 16 nëntor 2026, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), rastet janë konfirmuar në 24 komuna të vendit, ndërsa pjesën dërrmuese të të prekurve e përbëjnë fëmijët.

Të dhënat tregojnë se mbi 95 për qind e personave të infektuar nuk janë vaksinuar me vaksinën MMR, e cila ofron mbrojtje kundër fruthit, parotitit dhe rubeolës.

Sipas IKShPK-së, nga 16 prilli deri më 15 nëntor janë konfirmuar gjithsej 336 raste. Një javë më parë, më 8 nëntor, numri i përgjithshëm ishte 299, ndërsa rastet ishin regjistruar në 23 komuna.

Instituti ka paralajmëruar se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël.

Sëmundja përhapet përmes ajrit dhe zakonisht shoqërohet me temperaturë, kollë, rrjedhje të hundëve, skuqje të syve dhe puçrra të kuqe në lëkurë.

Në raste të rënda, fruthi mund të shkaktojë komplikime si pneumonia dhe inflamacioni i trurit.

Mbi 4 mijë fëmijë të vaksinuar përmes vaksinimit plotësues

Për të kufizuar përhapjen e sëmundjes, IKShPK-ja, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po vazhdon vaksinimin plotësues për fëmijët që nuk janë vaksinuar në kohë ose nuk i kanë marrë të dy dozat e parashikuara.

Gjatë këtij viti, përmes këtyre aktiviteteve janë vaksinuar mbi 4 mijë e 120 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç.

Instituti u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe, në rast se ndonjë dozë mungon, të kontaktojnë ekipet shëndetësore për plotësimin e saj.

Kujdes i veçantë për foshnjat nën 12 muaj

Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, IKShPK-ja rekomandon kujdes të shtuar për fëmijët nën moshën 12 muajshe, të cilët ende nuk e kanë marrë vaksinën MMR.

Prindërve u rekomandohet që, për aq sa është e mundur, të shmangin ekspozimin e foshnjave në ambiente të mbyllura dhe të mbipopulluara.

Instituti rithekson se vaksinimi në kohë mbetet masa kryesore për mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e përhapjes së fruthit.

Në rast të simptomave të dyshuara, prindërit duhet të kontaktojnë personelin shëndetësor për këshilla dhe vlerësim mjekësor, duke njoftuar paraprakisht për dyshimin e infeksionit.