Gjykata Supreme e Kosovës ka lënë në fuqi dënimin me 19 vjet burgim ndaj Fitim Vatovcit, i dënuar për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, lidhur me një ngjarje të ndodhur në korrik të vitit 2021 në Mitrovicë.

Supremja ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga avokati i tij, Shyqyri Syla, duke vërtetuar vendimet e mëhershme të Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe Gjykatës së Apelit.

Sipas aktgjykimit, më 10 korrik 2021, Vatovci kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy vëllezërve, Driton dhe Jeton Salihu. Nga të shtënat kishte mbetur i vrarë Driton Salihu, ndërsa vëllai i tij kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Ngjarja kishte ndodhur pas një përleshjeje të mëhershme mes Vatovcit dhe djemve të Jeton Salihut.

Mbrojtja kishte pretenduar se Vatovci kishte vepruar në vetëmbrojtje dhe se në vendin e ngjarjes ishte përdorur edhe një armë tjetër. Avokati kishte kërkuar anulimin e vendimeve dhe kthimin e rastit në rigjykim, ose shqiptimin e një dënimi më të butë.

Megjithatë, Gjykata Supreme i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke konstatuar se provat nuk dëshmonin për ndonjë sulm ndaj Vatovcit nga dy vëllezërit.

Sipas gjykatës, dëshmia e një dëshmitari okular dhe ekspertiza forenzike kanë vërtetuar se të shtënat ishin kryer me të njëjtën armë zjarri, të kalibrit 9×17 milimetra.

Gjykata Themelore në Ferizaj, më 24 shkurt 2025, e kishte dënuar Vatovcin me 18 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe një vit e gjashtë muaj për armëmbajtje pa leje, duke i shqiptuar dënim unik prej 19 vjetësh.

Ky vendim ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit më 15 korrik 2025.

Gjykata Supreme e shqyrtoi rastin më 29 shtator 2026, ndërsa aktgjykimi u përpilua më 5 tetor, duke refuzuar kërkesën e mbrojtjes dhe duke lënë në fuqi dënimin.