Meteorologët kanë ngritur shqetësime për një fenomen të pazakontë atmosferik mbi Arktik, i cili mund të ndikojë në kushtet e motit gjatë dimrit në Evropë dhe pjesë të tjera të hemisferës veriore.

Bëhet fjalë për dobësimin jashtëzakonisht të hershëm të vorbullës polare, një sistem erërash të fuqishme që qarkullon në lartësi të mëdha mbi Arktik dhe ndikon në shpërndarjen e ajrit të ftohtë.

Profesori Andrew Charlton-Perez, meteorolog në Universitetin e Reading në Britaninë e Madhe, e ka cilësuar këtë zhvillim si të paprecedentë në vëzhgimet moderne meteorologjike.

“Nuk kemi parë kurrë diçka të tillë më parë”, ka deklaruar ai, duke iu referuar kohës jashtëzakonisht të hershme të shfaqjes së fenomenit.

Sipas tij, të dhënat më të besueshme meteorologjike datojnë nga viti 1979, kur filluan vëzhgimet satelitore, ndërsa regjistrime të tjera ekzistojnë edhe nga vitet 1940.

Zakonisht, ngrohja e papritur stratosferike ndodh gjatë janarit ose shkurtit, por këtë vit ndryshimet janë vërejtur që në fillim të nëntorit.

Dobësimi i vorbullës polare mund të krijojë kushte për depërtimin e masave të ftohta drejt Evropës, Amerikës së Veriut dhe pjesëve të Azisë.

Në Evropë, vendet veriore dhe qendrore, përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Poloninë dhe vendet skandinave, mund të përballen me periudha më të ftohta se zakonisht.

Megjithatë, meteorologët theksojnë se kjo nuk do të thotë se i gjithë dimri do të jetë jashtëzakonisht i ftohtë. Ndikimi i fenomenit varet nga zhvillimi i sistemeve atmosferike gjatë javëve në vijim.

Shkencëtarët po shqyrtojnë edhe ndikimin e fenomenit El Niño në çrregullimin e vorbullës polare, por ende nuk është përcaktuar nëse ai është shkaktari kryesor.

Një dimër më i ftohtë mund të ndikojë edhe në tregjet evropiane të energjisë, duke rritur kërkesën për ngrohje dhe konsumin e gazit natyror.

Sidoqoftë, nuk ka ende një parashikim të konfirmuar për një dimër ekstrem në Evropë, ndërsa nuk është përcaktuar ndikimi konkret që ky fenomen mund të ketë në Kosovë.