Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare të enjten, më 26 nëntor, ndërsa interpelanca e kërkuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ndaj kryeministrit Albin Kurti lidhur me dialogun strategjik Kosovë-SHBA është shtyrë për seancën e radhës.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai ka sqaruar se dy seancat do të kenë pika të ndryshme të rendit të ditës, ndërsa interpelanca ndaj Kurtit nuk do të zhvillohet këtë të enjte, pasi kryeministri nuk do të jetë në Kosovë.

Tahiri ka thënë se kërkesa e AAK-së synon të hapë debat parlamentar për atë që kjo parti e konsideron dështim të dialogut strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, rikthimi i këtij dialogu është i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në, avancimin e proceseve integruese dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Ai ka paralajmëruar se mungesa e bashkëpunimit me administratën amerikane mund të ndikojë në proceset e rëndësishme për vendin, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe sigurimin e njohjeve të reja.

Tahiri ka bërë të ditur se interpelanca nuk lidhet vetëm me rikthimin e dialogut strategjik, por edhe me nevojën për hartimin e një strategjie shtetërore për marrëdhëniet Kosovë-SHBA, duke përfshirë institucionet e vendit.

Një tjetër çështje e ngritur nga AAK-ja në mbledhjen e Kryesisë ishte kërkesa për shkarkimin e Këshillit të Lartë për Përmirësimin e Shërbimit Civil.

Tahiri ka kritikuar procedurën e ndjekur lidhur me këtë çështje, duke thënë se administrata shtetërore nuk mund të përfaqësohet vetëm nga një anëtar i këtij këshilli.