Policia në Mitrovicë sekuestroi një armë zjarri dhe një karikator gjatë bastisjes së shtëpisë së një të dyshuari, paraditen e së mërkurës, më 25 nëntor. Sipas policisë, gjatë sekuestrimit i dyshuari kanosi zyrtarët policorë që po kryenin bastisjen.

Shkas për bastisjen u bë një postim në rrjetet sociale, ku dyshohet se personi kishte ekspozuar një armë zjarri. Pasi morën informatën dhe siguruan prova për rastin, zyrtarët e Stacionit Policor në Mitrovicë kontrolluan shtëpinë e tij, ku gjetën armën dhe karikatorin.

Pas bastisjes, policia e shoqëroi të dyshuarin në stacion për intervistim. Pas intervistës, prokurori i rastit urdhëroi ndalimin e tij.

Policia njoftoi se ndaj të dyshuarit është hapur rast për dy vepra penale, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Kanosje”. Dyshimi për kanosje lidhet me sjelljen e tij ndaj zyrtarëve policorë gjatë sekuestrimit të armës.