Shumë zhurmë, debate e përplasje pati muajin e kaluar në asamblenë komunale të Shtimes, mes opozitës dhe pushtetit, e mollë sherri aty u bë angazhimi i 5 ekspertëve nga kjo e fundit për gjoja ekspertizë ekonomike.
Dhe problemi qëndronte në faktin se disa nga këta ekspertë nuk e kanë asnjë diplomë universitare, madje ata janë vetëm me shkollim të mesëm, raporton Kiks Kosova.
Hamëz Tërshani, që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, insiston se pati shkelje të mëdha që u bënë hapur nga qeverisja e kryetarit të komunës, Qemajl Aliu.
I bindur se pushteti lokal po keqpërdor paranë publike e kryetari i Shtimes detyrën zyrtare, Tërshani thotë se komuna ka paguar Agjencinë për Zhvillim Rajonal Qendër, e cila është organizatë joqeveritare, me një shumë prej më shumë se 20 mijë eurosh, për dy marrëveshje, njëra në vitin 2022 dhe tjetra në vitin 2023, pa i përfillur procedurat ligjore.
Marrëveshjet për të cilat opozita akuzon pushtetin komunal thuhet se janë bërë me qëllim të angazhimit të konsulentëve profesionistë për projekte në komunën e Shtimes.
Pesë konsulentët, të cilët janë angazhuar si ekspertë të projekteve, sipas opozitës, u angazhuan pa konkurs publik, duke shkelur në këtë formë ligjin për shfrytëzimin e parasë publike.
Madje, për të njëjtit thonë se janë militantë të LDK-së dhe Vetëvendosjes, parti kjo që qeveris me komunën e Shtimes.
E për të vërtetuar dyshimet, Rrahman Jakupi thotë se kanë kërkuar qasje në dokumente publike, por se për këtë e kishin marrë një përgjigje të prerë nga zyrtarët e komunës.
Qasja u refuzua pasi, sipas tij, komunarët pranuan se dokumentet e kërkuara nuk ekzistonin.
Jakupi thotë se për këta pesë persona që janë angazhuar si ekspertë me pretendimin se do t’i sjellin Shtimes të mira në fushën e ekonomisë, nuk kanë shkollim adekuat në fushën, për çka po shfrytëzohen paratë publike. Për më tepër, ata nuk përfunduan asnjëherë Fakultetin Ekonomik.
Ani që projekti me AZHR-në po mbush dy vjet qëkur u nënshkrua, sipas opozitës, asnjëherë nuk u pa puna e atyre se përse u angazhuan.
The post “Nuk jemi militantë partiakë”, arsyetohen të punësuarit e Shtimes appeared first on Klan Kosova.


