Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka lëshuar një apel për qytetarët dhe institucionet, duke kërkuar kujdes dhe gatishmëri të shtuar për shkak të kushteve ekstreme të motit që pritet të përfshijnë Kosovën.
Sipas AME-së, temperaturat e larta dhe rreziku nga zjarret, si dhe mundësia e ndryshimeve të papritura të motit në disa zona, kërkojnë vigjilencë të shtuar dhe respektim të rekomandimeve të autoriteteve.
Qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin ekspozimin e panevojshëm në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të zjarrit apo situatë emergjente tek autoritetet përgjegjëse.
AME thekson se ekipet e emergjencës mbeten në gatishmëri të plotë dhe u bën thirrje qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me institucionet për të parandaluar rreziqet.



