Protestuesit e mbledhur para Qeverisë së Kosovës, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, kanë kërkuar shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë dhe do të përshkallëzohen.

Gjatë protestës së zhvilluar të mërkurën, më 28 tetor, në Prishtinë, aktivistja Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paraqitur kërkesat e protestuesve drejtuar institucioneve shtetërore.

Sijarina ka deklaruar se qytetarët nuk do të ndalen derisa të ketë përgjegjësi për mënyrën se si institucionet kanë trajtuar rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

“Protestat e tona nuk kanë me u ndalë natë e ditë, kanë me u përshkallzu”, ka deklaruar Sijarina.

Ajo ka theksuar se protestuesit nuk do të pranojnë deklarata politike pa veprime konkrete, duke kërkuar që institucionet të japin përgjigje për secilën nga kërkesat e tyre.

Sijarina ka kërkuar përgjegjësi edhe nga zyrtarët e sistemit të drejtësisë dhe të Qendrës për Punë Sociale, duke pretenduar se mosveprimet institucionale kanë kontribuar në mosmbrojtjen e viktimës.

Në mesin e kërkesave të Kolektivit janë nisja e procedurave për hetimin dhe shkarkimin e zyrtarëve që konsiderohen përgjegjës, si dhe marrja e masave të menjëhershme për mbrojtjen e grave nga dhuna.

Aktivistja ka kritikuar edhe drejtuesit e Qeverisë, duke kërkuar largimin e Gërvallës dhe Sveçlës nga pozitat ministrore.

Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare, të sigurohet mbështetje dhe strehim për viktimat e dhunës, si dhe të ndërmerren reforma në sistemin e drejtësisë.

Marshimi kishte nisur në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke vazhduar para Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor, përpara se protestuesit të arrinin te objekti i Qeverisë.

Gjatë qëndrimit para Qeverisë, protestuesit kanë shkruar parulla në dyert e ndërtesës dhe kanë hedhur tymuese të kuqe në shkallët e saj, në shenjë revolte për vrasjen e Arlindës.

Sijarina ka paralajmëruar se protesta do të vazhdojë para Qeverisë edhe gjatë natës.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, pasi viktima kishte raportuar më herët kërcënime dhe kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet.

Autoritetet po hetojnë rrethanat e rastit dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse. Kërkesat e protestuesve për shkarkime dhe ndjekje penale nuk përbëjnë konstatime të përgjegjësisë ligjore të zyrtarëve të përmendur.