Quillan Salkilld bëri një deklaratë të fortë në divizionin Lightweight (peshat deri 70kg) të UFC, duke mposhtur Mateusz Gamrot me dorëzim në raundin e parë në main event-in e UFC Fight Night: Gamrot vs. Salkilld.
Australiani e përfundoi luftën në 4:25 të raundit të parë me rear-naked choke, duke e detyruar veteranin polak të dorëzohej pas një shkëmbimi intensiv në grappling. Salkilld fillimisht i mbijetoi një tentative për leg lock nga Gamrot, përpara se ta kthente situatën në favorin e tij, ta merrte kontrollin dhe të kalonte në shpinën e polakut për finish.
Fitorja është edhe më domethënëse për mënyrën se si erdhi. Gamrot njihet si një prej grappler-ëve më të rrezikshëm të kategorisë, por ishte pikërisht në tapet ku Salkilld arriti ta përfundonte luftën. Me këtë sukses, australiani zgjati serinë e tij në 13 fitore radhazi dhe vazhdoi rekordin e tij perfekt në UFC me 6 fitore (5 me finish).
Pas fitores, Salkilld nuk e fshehu ambicien. Australiani kërkoi një tjetër hap të madh në karrierë dhe bëri të qartë se tashmë synon një kundërshtar nga Top 5 në peshat e Lehta, meqë tani do të ngritet në renditje në pozitën e 8-të, duke “marrë” rankimin nga Gamrot.
Ky ishte gjithashtu një event special për vetë UFC, pasi “UFC Fight Night: Gamrot vs. Salkilld” ishte eventi i parë i zhvilluar në ‘Meta APEX’ pas renovimit dhe zgjerimit të objektit. APEX në Las Vegas u rikthye me kapacitet më të madh dhe ndryshime në hapësirat për publikun, duke nisur kështu një kapitull të ri për një prej ambienteve më karakteristike të UFC.
Dhe debutimi i ‘Meta APEX’ të ri u shoqërua me një tjetër shpërblim për protagonistin kryesor: Salkilld fitoi bonusin prej 100 mijë dollarë për “Performance of the Night” dhe australiani ka grumbulluar tashmë 300 mijë dollarë vetëm nga bonuset e UFC gjatë vitit 2026, një tjetër tregues për formën e jashtëzakonshme që po kalon./Klankosova.tv






