Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar që të thirret urgjentisht seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar pushtetin për zvarritje të procesit.
Hamza ka deklaruar se Kuvendi nuk është pronë e Albin Kurtit apo e Lëvizjes Vetëvendosje dhe se konstituimi i tij është detyrim kushtetues që nuk mund të kushtëzohet me marrëveshje politike, kalkulime elektorale apo interesa personale.
“Kuvendi nuk është pronë e Albin Kurtit dhe e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar Hamza në reagimin e tij.
Sipas tij, Kurti po e zvarrit procesin e konstituimit për shkak të kalkulimeve politike, ndërsa vakumi institucional, sipas Hamzës, krijon hapësirë për skenarë të rinj politikë dhe zgjedhorë.
Kreu i PDK-së ka përdorur tone të ashpra ndaj pushtetit, duke e cilësuar situatën si “kapje brutale të shtetit” dhe “shkelje të Kushtetutës”.
Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën e trajtimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ato nuk janë rekomandime që mund të zbatohen vetëm kur u përshtaten palëve politike.
Hamza ka kërkuar që seanca të thirret menjëherë dhe që procesi i konstituimit të Kuvendit të vazhdojë pa kushte politike.
“Thirreni seancën. Respektoni Kushtetutën. Kuvendi duhet të konstituohet”, ka kërkuar ai.
Reagimi i Hamzës vjen në një kohë kur përplasjet mes PDK-së dhe Vetëvendosjes janë intensifikuar rreth vazhdimit të seancës konstituive. PDK kërkon vazhdimin e menjëhershëm të procesit, ndërsa VV ka insistuar për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa Kuvendi vazhdon të jetë në qendër të përplasjes politike për mënyrën se si duhet të zhbllokohet procesi institucional.






