Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorolli, ka reaguar ndaj kërkesave të Partisë Demokratike të Kosovës për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.

Qorolli ka thënë se thirrja e seancës është kompetencë e kryesuesit të saj, Avni Deharit, i cili, sipas tij, duhet të vendosë se kur është e nevojshme të vazhdojë procesi.

“Është çështje e shprehive të tyre politike për t’i kundërshtuar të gjitha institucionet”, ka deklaruar Qorolli, duke iu referuar veprimeve të deputetëve të PDK-së në Kuvend.

Ai ka përsëritur qëndrimin e Vetëvendosjes se deputetët e saj janë të gatshëm të marrin pjesë në seancë, por vetëm kur Dehari ta vlerësojë të nevojshme thirrjen e saj.

Sipas Qorollit, VV vazhdon të insistojë se seanca konstituive duhet të thirret vetëm pasi të arrihet një marrëveshje politike mes subjekteve parlamentare.

“Seanca do të thirret vetëm në momentin kur do të ketë marrëveshje politike”, ka thënë ai.

Qorolli ka pretenduar gjithashtu se thirrja e seancës pa një marrëveshje politike do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve. Ai është shprehur se edhe interpretimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, sipas tij, lë hapësirë për një marrëveshje mes partive.

“Margjinat kushtetuese tregojnë që në këtë rast duhet me pasë një marrëveshje politike”, ka deklaruar deputeti i VV-së.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur përplasjet mes VV-së dhe opozitës rreth konstituimit të Kuvendit janë intensifikuar. PDK ka kërkuar që seanca të thirret dhe ka bërë të ditur se deputetët e saj do të jenë të pranishëm në Kuvend.

Ndërkohë, Vetëvendosje vazhdon të mbajë qëndrimin se pa një dakordim politik nuk duhet të ketë vazhdim të seancës. Kjo ka bërë që procesi i konstituimit të mbetet i bllokuar, ndërsa partitë vazhdojnë përplasjet për mënyrën e tejkalimit të krizës institucionale.