Lirim Hajredini, drejtori operativ i televizionit Alsat, është gjetur pa shenja jete mëngjesin e së enjtes pranë qendrës tregtare “Mavrovka” në Shkup.
Sipas raportimeve fillestare të mediave në Maqedoninë e Veriut, trupi i Hajredinit është gjetur në orët e mëngjesit, ndërsa vendi i ngjarjes është siguruar nga policia.
Hajredini kishte shërbyer për më shumë se 16 vjet si drejtor operativ i televizionit Alsat. Gjatë karrierës së tij ai ishte angazhuar në menaxhimin e sektorit mediatik, marketing, strategji biznesi dhe prodhim televiziv.
Sipas informacioneve të para të raportuara nga mediat lokale, dyshohet se bëhet fjalë për vetëvrasje, megjithatë kjo mbetet vetëm një dyshim fillestar dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, ndërsa trupi i pajetë pritet t’i nënshtrohet obduksionit për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të vdekjes.
Humbja e Hajredinit ka tronditur komunitetin mediatik, ku ai kishte ndërtuar një karrierë të gjatë profesionale në televizion.
Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të procedurave hetimore dhe obduksisë.






