Luftëtari shqiptar i UFC-së, Denis Buzukja, është përballur me një situatë të pazakontë dhe shqetësuese gjatë qëndrimit në Beograd, ku kishte udhëtuar për eventin UFC Fight Night më 1 gusht.
Buzukja mori pjesë në eventin e zhvilluar në kryeqytetin serb, ndërsa atmosfera rreth paraqitjes së tij ishte e tensionuar që nga matjet zyrtare dhe deri te përballja në oktagon. Në fund, ai u mposht me dorëzim nga austriaku Bogdan Grad.
Por detaje të tjera rreth udhëtimit të tij në Beograd janë bërë publike së fundmi nga Aljamain Sterling, ish-kampion i UFC-së dhe mik i Buzukjës. Sterling ka folur për përvojën gjatë një paraqitjeje në podcastin e Joe Rogan, duke përshkruar situatën si jashtëzakonisht të pazakontë.
Sipas Sterlingut, gjatë qëndrimit në Beograd, disa persona serbë iu janë afruar atij dhe pjesëtarëve shqiptarë të ekipit, duke bërë deklarata provokuese lidhur me Kosovën dhe shqiptarët.
Ai ka treguar se një tjetër person u është afruar pjesëtarëve të ekipit dhe i ka kërcënuar se do ta shpërthente vendin nëse nuk largoheshin brenda 10 minutave.
Fillimisht, sipas rrëfimit të Sterlingut, ata kanë menduar se personi mund të kishte armë me vete. Më pas, kanë kuptuar se ai mbante një granatë dore në dorë.
Rrëfimi i Sterlingut ka rikthyer vëmendjen te tensionet që shoqëruan pjesëmarrjen e Buzukjës në eventin e UFC-së në Beograd dhe te atmosfera e krijuar rreth ekipit shqiptar gjatë qëndrimit në kryeqytetin serb.







