Home > Uncategorized > Rusia alarmohet nga bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri-Kroaci: “Po krijohet kuazibllok ushtarak”

Rusia alarmohet nga bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri-Kroaci: “Po krijohet kuazibllok ushtarak”

///
Comments are Off

Rusia ka reaguar ashpër ndaj bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke e cilësuar atë si krijimin e një “kuaziblloku ushtarak” në Ballkan.

Yury Pilipson, drejtor i Departamentit të Dytë Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë, ka deklaruar për agjencinë shtetërore ruse TASS se bashkëpunimi mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit paraqet, sipas Moskës, një faktor që mund të ndikojë në rritjen e tensioneve në rajon.

“Krijimi i një kuaziblloku ushtarak të përbërë nga Kroacia, Shqipëria dhe Kosova është një shembull tjetër i politikës së NATO-s për militarizim të përshpejtuar”, ka deklaruar Pilipson.

Diplomati rus ka thënë gjithashtu se Moska ndan shqetësimet e Beogradit lidhur me këtë bashkëpunim. Sipas tij, Serbia e sheh marrëveshjen mes tri vendeve si një zhvillim të orientuar kundër saj.

Pilipson ka paralajmëruar se krijimi i një “boshti të mbyllur Zagreb-Tiranë-Prishtinë”, sipas tij, mund të ndikojë në përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në Ballkan.

Në fokusin e deklaratave ruse janë veçanërisht bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes, prokurimet e përbashkëta ushtarake, rritja e ndërveprueshmërisë së forcave të armatosura dhe shkëmbimi i të dhënave.

Bashkëpunimi mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë nuk është i ri. Më 18 mars 2025, ministrat e Mbrojtjes të tri vendeve nënshkruan në Tiranë një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.

Deklarata parasheh bashkëpunim në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes, industrinë ushtarake, trajnime dhe ushtrime të përbashkëta, si dhe në luftimin e kërcënimeve hibride dhe rritjen e ndërveprueshmërisë së forcave.

Megjithatë, dokumenti nuk krijon një aleancë formale ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Ai gjithashtu nuk përmban detyrim për mbrojtje të përbashkët apo ndërhyrje automatike ushtarake në rast të një konflikti.

Reagimi i Moskës vjen në një periudhë kur çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit ushtarak po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi në Ballkanin Perëndimor, ndërsa marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbeten të tensionuara.

Verified by MonsterInsights