Deputeti Arben Mustafa ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar që ai të paraqitet në Kuvend dhe të kontribuojë në zhbllokimin e procesit të konstituimit të institucioneve.
Mustafa tha se prej disa ditësh deputetët po presin para Zyrës së Kryeministrit për t’ia përcjellë Kurtit mesazhin që vendi i tij, si deputet i betuar, është në Kuvend.
Sipas tij, Kurti duhet të jetë pjesë e procesit parlamentar dhe të mos vazhdojë atë që ai e cilësoi si bllokadë të institucioneve të Kosovës.
“Ka disa ditë që presim z. Kurti para Zyrës së Kryeministrit për të përcjellë një mesazh të qartë që ai të vijë në Kuvend”, tha Mustafa.
Deputeti kritikoi gjithashtu mungesën e kontakteve mes Kurtit dhe deputetëve, duke pretenduar se kryeministri në detyrë po shmang përballjen me ta.
Mustafa ngriti edhe çështjen e ushtrimit të njëkohshëm të funksioneve, duke argumentuar se Kurti është betuar si deputet dhe se Kuvendi ka përgjegjësinë për mbikëqyrjen e Qeverisë.
“Në Kosovë nuk mund të jesh edhe deputet edhe kryeministër”, u shpreh ai, duke shtuar se sipas tij Kurti po vepron përtej normave juridike.
Ai e akuzoi Kurtin se po vazhdon të ushtrojë detyrën e kryeministrit pa një mandat të ri, ndërsa vendi po përballet me një ngërç institucional.
Mustafa paralajmëroi gjithashtu se PDK-ja mund t’u drejtohet institucioneve të drejtësisë lidhur me vendimet që Qeveria po merr gjatë kësaj periudhe.
Në fokus të deklaratës së tij ishte edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për afatin e konstituimit të Kuvendit. Mustafa tha se vendimi përcakton një afat prej 30 ditësh pas certifikimit të rezultateve dhe se, sipas tij, nuk ka nevojë për një interpretim të ri.
Ai pretendoi se Kurti po kërkon kohë dhe se zgjatja e situatës po e thellon edhe më tej krizën institucionale.






