Takimi konsultativ i thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit, pritet të zhvillohet pa pjesëmarrjen e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës. Të tri partitë kanë refuzuar ftesën, ndërsa nga Presidenca ende nuk është bërë e ditur nëse takimi do të mbahet edhe pa këto subjekte.
Haxhiu kishte ftuar liderët ose përfaqësuesit e partive politike në një takim konsultativ, në një kohë kur Kosova po përballet me një ngërç të vazhdueshëm institucional.
PDK-ja ka kërkuar që fillimisht të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit, duke e parë funksionalizimin e këtij institucioni si hap të domosdoshëm për tejkalimin e krizës.
Edhe Aleanca e ka refuzuar ftesën, duke argumentuar se takimi i thirrur nga Haxhiu nuk paraqet zgjidhjen e problemit aktual dhe duke kritikuar zvarritjen e procesit institucional.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Haxhiu. Ai ka thënë se takimet që mund t’i zhvillojë janë me kryetarët e partive politike, duke përmendur në veçanti liderin e LVV-së, Albin Kurti.
Në këtë situatë, çështja e zgjedhjes së presidentit vazhdon të shihet si një prej pengesave kryesore për tejkalimin e krizës institucionale.
Analisti politik Mazllum Baraliu ka vlerësuar se zgjidhja duhet të kërkohet përmes komunikimit ndërmjet LVV-së dhe LDK-së. Sipas tij, një marrëveshje për një president konsensual mund të hapte rrugë për zgjidhjen e pjesëve të tjera të ngërçit.
Baraliu ka thënë se për çështjet e tjera institucionale ekzistojnë mundësi dhe numra për marrëveshje, ndërsa problemi kryesor mbetet presidenti. Ai e ka cilësuar mungesën e vullnetit politik për kompromis si një nga arsyet kryesore të vazhdimit të krizës.
Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar. Në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të.
Përderisa PDK-ja dhe Aleanca vazhdojnë të kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive, LDK-ja ka ndërprerë negociatat me LVV-në për koalicion qeverisës, por ka shprehur gatishmëri për një zgjidhje lidhur me presidentin konsensual.






