Gjashtë vatra zjarri janë regjistruar në Shqipëri deri në orën 14:00 të së mërkurës, ndërsa katër prej tyre vazhdojnë të jenë aktive. Dy vatra të tjera janë nën monitorim, ndërsa autoritetet bëjnë të ditur se situata paraqitet përgjithësisht e stabilizuar.

Në terren janë angazhuar gjithsej 216 forca për përballimin e situatës. Prej tyre, 126 janë forca operacionale vendore, ndërsa 90 janë efektivë të Forcave të Armatosura. Operacionet po mbështeten edhe nga dy helikopterë të Forcës Ajrore.

Vatrat aktive janë evidentuar në Dajt, Priskë, Lufaj dhe Tërbun.

Në Dajt të Tiranës po vijon ndërhyrja me 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 pjesëtarë të MZSH-së dhe pesë forca të AZM-së. Sipas autoriteteve, zjarri nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Në Priskë, gjithashtu në Tiranë, ekipet e MZSH-së po punojnë për shuarjen e zjarrit, i cili është riaktivizuar. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Lufaj të Mirditës, zjarri vijon me intensitet të ulët. Në terren ndodhen tetë forca të Shërbimit Pyjor dhe katër zjarrfikës, të mbështetur me një automjet zjarrfikës.

Ndërkohë, në Tërbun të Pukës operacioni po vazhdon me forcat në terren, të cilat po punojnë për hapjen e korridoreve ndarëse. Pas ndërhyrjes nga ajri, situata është vlerësuar nën kontroll dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Situata është përmirësuar edhe në Gurë-Lurë, ku zjarri është shuar dhe zona po monitorohet. Në Qafë Helmes, vatra është izoluar dhe vijojnë ndërhyrjet nga ekipet lokale.

Strukturat e Mbrojtjes Civile po vazhdojnë monitorimin dhe angazhimin në terren, ndërsa autoritetet thonë se situata në përgjithësi është e stabilizuar dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.