Nëse Hashim Thaçi shpallet i pafajshëm në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ai nuk do të lirohej domosdoshmërisht menjëherë.

Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara, një i akuzuar i paraburgosur që shpallet i pafajshëm lirohet menjëherë, përveç rasteve kur mbahet ligjërisht në paraburgim për një çështje tjetër ose vuan dënim për vepra të tjera.

Në rastin e Thaçit ekziston edhe një proces tjetër në Hagë, ku ai akuzohet për pengim të drejtësisë. Për këtë çështje, paraburgimi i tij është urdhëruar veçmas nga një gjyqtar i vetëm.

Kjo do të thotë se, nëse Thaçi shpallet i pafajshëm në rastin kryesor, vendimi nëse ai do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim do t’i takojë gjyqtarit që shqyrton rastin për pengim të drejtësisë.

Aktgjykimi për Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin pritet të shpallet më 16 shtator 2026 në Hagë.