Në dosjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të siguruar nga KALLXO.com, janë përfshirë deklaratat e Arben Jetullahut, i cili është dëshmitar dhe i dëmtuar në rastin ku Fatmir Sheholli akuzohet për spiunazh dhe shantazh. Jetullahu ka dhënë deklaratë në Polici më 19 maj 2026 dhe në Prokurori më 18 qershor 2026.
Sipas deklaratës së Jetullahut, ai e njihte Shehollin që nga viti 2014. Ai pretendon se në vitin 2021, disa javë para publikimit të artikujve që e lidhnin biznesin e tij me grupe kriminale në veri të Kosovës, Sheholli i kishte kërkuar para në formë huazimi. Jetullahu thotë se pasi refuzoi, u publikuan lajme që, sipas tij, i dëmtuan imazhin, familjen dhe biznesin.
Jetullahu ka deklaruar gjithashtu se, për të ndalur sulmet mediatike, i kishte paguar Shehollit 1 mijë euro në muaj për rreth 13 muaj, kinse si pagë për punë në marketing, ndonëse pretendon se nuk kishte punuar për biznesin e tij.
Në dosje përmendet edhe një pagesë prej 60 mijë eurosh në vitin 2016, të cilën Jetullahu thotë se ia kishte transferuar Shehollit për blerjen e një banese, me marrëveshjen që paratë do t’i ktheheshin më vonë. Ai deklaron se në vitin 2019 i kishte dhënë edhe 20 mijë euro të tjera si huazim, të cilat sipas tij nuk iu kthyen.
Një tjetër pretendim lidhet me një video që, sipas deklaratës së Jetullahut, mund t’i shkaktonte dëm në biznes dhe familje. Ai thotë se pas refuzimit për të dhënë para të tjera, ndaj tij u shkaktua dëm medial.
KALLXO.com thekson se këto janë deklarata të Jetullahut gjatë hetimeve, të përfshira në dosjen e Prokurorisë Speciale, dhe se ai nuk ishte i qasshëm për të dhënë qëndrim lidhur me pretendimet në momentin e publikimit.







