Në faqen 58 të aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit, përmendet një dokument i vitit 2001, i titulluar “Leptiri”, i cili sipas aktakuzës ishte përpiluar nga strukturat e atëhershme të Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB). Dokumenti përshkruan një plan për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës kur ai vuante dënimin në burgjet e Serbisë.
Sipas dokumentit, pretendohet se ishte paraparë përdorimi i një burimi me nofkën “Leptiri” për sigurimin e materialeve komprometuese, me qëllim ushtrimin e presionit ndaj Kurtit për bashkëpunim me RDB-në. Kurti nuk është objekt i hetimit në këtë rast.
Ndërkohë, Sheholli akuzohet nga Prokuroria Speciale për spiunazh dhe shantazh. Prokuroria pretendon se ai kishte mbledhur dhe përcjellë informacione te një zyrtar i BIA-s serbe dhe se kishte zbatuar një plan që, sipas aktakuzës, synonte edhe ndërhyrjen në procesin zgjedhor të vitit 2025.







