Home > Uncategorized > LVV dhe LDK dakordohen për Bekim Sejdiun si kandidat për president

LVV dhe LDK dakordohen për Bekim Sejdiun si kandidat për president

///
Comments are Off

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për emrin e kandidatit konsensual për presidentin e Kosovës.

Pas takimit të zhvilluar sot në Kuvend, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë dakorduar që profesor doktor Bekim Sejdiu të jetë kandidati për postin e presidentit.

Abdixhiku ka bërë të ditur se gjatë takimeve të fundit janë shqyrtuar disa emra të personaliteteve me përvojë dhe kontribut në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës. Pas diskutimeve, dy partitë janë pajtuar për kandidaturën e Sejdiut.

“Gjatë diskutimeve të përbashkëta jemi dakorduar për një emër dhe ai është Profesor Doktor Bekim Sejdiu”, ka deklaruar Abdixhiku.

Bekim Sejdiu është profesor dhe jurist, ndërsa më herët ka shërbyer edhe si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Emri i tij kishte qarkulluar ditët e fundit si një nga kandidatët e mundshëm për president, pas takimeve të njëpasnjëshme mes Kurtit dhe Abdixhikut.

Marrëveshja mes dy partive vjen pas disa javësh negociatash, gjatë të cilave palët fillimisht diskutuan kriteret dhe profilin e presidentit të ardhshëm, përpara se të kalonin te emrat konkretë.

Tashmë sfida e radhës pritet të jetë sigurimi i mbështetjes së nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e Sejdiut në postin e presidentit.

Verified by MonsterInsights