Policia ka nisur hetimet për vdekjen e 37-vjeçares shtatzënë Marjana Karolina Bunaj, e cila humbi jetën gjatë transportimit nga Pogradeci drejt Tiranës, ku po dërgohej për trajtim më të specializuar.
Në kuadër të hetimit janë administruar kartela mjekësore e pacientes dhe dokumentacioni përkatës, ndërsa janë marrë në pyetje edhe pjesëtarë të stafit mjekësor dhe familjarë të 37-vjeçares. Qëllimi është zbardhja e plotë e rrethanave të trajtimit të saj dhe transportimit drejt Tiranës.
Motra e viktimës, e cila e kishte shoqëruar gjatë qëndrimit në maternitet, ka ngritur pretendime për vonesë në nisjen e pacientes drejt Tiranës. Ajo ka kërkuar që rasti të hetohet në mënyrë të plotë dhe të përcaktohet nëse ka pasur përgjegjësi lidhur me trajtimin e motrës së saj.
Sipas të dhënave paraprake, 37-vjeçarja dyshohet se kishte pësuar hemorragji të brendshme, e cila nuk dyshohet se ishte e lidhur me shtatzëninë.
Për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes do të kryhet autopsia mjeko-ligjore. Rezultatet e saj pritet të jenë vendimtare për hetimin dhe për të sqaruar nëse mënyra dhe koha e trajtimit kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së pacientes.
Autoritetet pritet të vijojnë me marrjen e dëshmive dhe administrimin e dokumentacionit mjekësor, ndërsa familjarët kërkojnë zbardhjen e plotë të rastit.







