Një 19-vjeçar nga Fieri ka humbur jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi mbeti i plagosur rëndë në një aksident të ndodhur një ditë më parë në aksin rrugor Mbrostar–Levan.
I riu ishte duke udhëtuar me një automjet tip “Volkswagen”, kur drejtuesi dyshohet se humbi kontrollin e mjetit. Si pasojë, automjeti doli nga rruga dhe përfundoi në kanalin anësor.
Pas aksidentit, 19-vjeçari u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Fierit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ai u dërgua më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, i riu nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në spital.
Në të njëjtin aksident mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë që udhëtonin në automjet.
Policia dhe grupi hetimor vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe për të përcaktuar shkakun e humbjes së kontrollit mbi automjetin.







