Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të 18 gjyqtarëve nga komuniteti serb.
Vendimi është marrë pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), i cili kishte refuzuar kërkesat e këtyre gjyqtarëve për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura në vitin 2022.
Gjyqtarët kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të pjesëtarëve të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës. Pas një periudhe, ata kërkuan rikthimin në pozitat e tyre, por kërkesa nuk u miratua nga KGJK-ja.
Më 28 gusht, KGJK-ja vendosi të mos i pranonte kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve. Vendimi u mor me shumicë votash, ndërsa pas kësaj emrat e gjyqtarëve iu përcollën Presidencës për procedurën e lirimit nga detyra.
Me nënshkrimin e dekreteve nga Haxhiu, procesi i largimit të tyre nga sistemi gjyqësor është formalizuar.
Çështja ka nxitur reagime edhe nga Bashkimi Evropian, i cili ka shprehur shqetësim për vendimin e KGJK-së dhe ka vlerësuar se mospranimi i kërkesave për rikthim mund të dëmtojë besimin e komunitetit serb dhe përpjekjet për një sistem gjyqësor shumëetnik.
Në total, rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë serbë të sistemit të drejtësisë kishin dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022. Largimi i tyre kishte prekur institucionet e drejtësisë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Vendimi për gjyqtarët vjen pas një zhvillimi të ngjashëm me prokurorët serbë. Muajin e kaluar, Haxhiu kishte nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, të cilët gjithashtu kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
Ndërkohë, institucionet e Kosovës kanë argumentuar se çështja e pozitave të lira duhet të trajtohet përmes procedurave të reja dhe në përputhje me kuadrin kushtetues e ligjor të vendit.







