Përfaqësues të parlamenteve studentore të universiteteve publike të Kosovës kanë zhvilluar sot një aksion para Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ku kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Studentët, të cilët thonë se përfaqësojnë rreth 100 mijë studentë të universiteteve publike, kanë dorëzuar një Deklaratë të Përbashkët në Zyrën e BE-së. Në këtë dokument, ata kanë kërkuar që vendimi për ish-krerët e UÇK-së të merret në mënyrë të pavarur nga ndikimet politike dhe duke u bazuar në prova, fakte, ligj dhe Kushtetutën e Kosovës.
Në aksion janë përfshirë edhe përfaqësues studentorë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke e shtrirë kështu këtë reagim përtej universiteteve publike të Kosovës.
Në deklaratën e tyre, studentët kanë shprehur pakënaqësi për kohëzgjatjen dhe mënyrën e zhvillimit të procesit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ata kanë thënë se, si gjeneratë e re e vendit, e shohin këtë proces si një çështje që prek drejtpërdrejt mënyrën se si trajtohet historia e luftës së Kosovës.
Sipas tyre, pas disa vitesh proces gjyqësor janë krijuar shqetësime për transparencën, paanshmërinë dhe trajtimin e barabartë të palëve. Studentët kanë kërkuar që këto çështje të mos anashkalohen dhe që drejtësia të zbatohet me të njëjtat standarde për të gjithë.
Një pjesë e deklaratës së tyre i është kushtuar edhe raportit të Kosovës me Bashkimin Evropian. Studentët kanë kritikuar atë që e konsiderojnë si qasje me standarde të ndryshme ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar që kriteret e drejtësisë dhe shtetit të së drejtës të jenë të njëjta për të gjitha palët.
Ata kanë kundërshtuar gjithashtu çdo përpjekje që, sipas tyre, mund ta paraqesë luftën e UÇK-së vetëm përmes një narrative kriminalizuese. Studentët kanë deklaruar se nuk duan që historia e Kosovës të rishkruhet dhe se do të vazhdojnë të kërkojnë që e vërteta për luftën të trajtohet me drejtësi.
Deklarata është lexuar para Zyrës së BE-së nga Endi Binaku, deputet në Parlamentin Studentor të Universitetit të Prishtinës.
Në fund të reagimit të tyre, përfaqësuesit studentorë kanë kërkuar që zëri i tyre të merret seriozisht dhe që institucionet evropiane të garantojnë standarde të njëjta në trajtimin e proceseve të drejtësisë.
Studentët kanë bërë thirrje që vendimi për ish-krerët e UÇK-së të merret mbi bazën e fakteve dhe ligjit, ndërsa kanë shprehur pritjen që procesi në Hagë të përfundojë me një vendim që, sipas tyre, do të sjellë drejtësi për të akuzuarit dhe familjet e tyre.







