Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi, është përplasur verbalisht me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, gjatë raportimit të këtij të fundit para anëtarëve të KPK-së.
Isufaj ishte para Këshillit për të raportuar lidhur me punën e Prokurorisë Speciale gjatë vitit 2025. Gjatë seancës, anëtarët e KPK-së i parashtruan pyetje për punën dhe aktivitetet e institucionit që ai drejton.
Debati nisi kur Gashi ndërhyri gjatë diskutimit dhe i kujtoi Isufajt se roli i tij në atë mbledhje ishte të raportonte para Këshillit dhe t’u përgjigjej pyetjeve të anëtarëve.
“Nuk jeni ju këtu me na bo pyetje neve, ne jemi këtu për me të bo pyetje ty”, i tha Gashi kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.
Isufaj u përgjigj se ai po u përgjigjej pyetjeve dhe po jepte argumentet e tij. Megjithatë, kjo solli një tjetër reagim nga kryesuesi i KPK-së.
Gashi i tha se anëtarët e Këshillit nuk janë aty për të raportuar para Isufajt dhe se duhet të dëgjojë pyetjet e tyre dhe të japë përgjigje.
“Ka kaluar koha kur anëtarët kanë raportu para kryeprokurorit. Të lutem, unë po flas, ti vetëm dëgjo”, deklaroi Gashi gjatë përplasjes.
Ai shtoi se tashmë është kryeprokurori ai që duhet të raportojë para anëtarëve të KPK-së dhe t’u përgjigjet pyetjeve që i parashtrohen.
Nga ana tjetër, Isufaj i kujtoi Gashit se edhe ai më herët kishte qenë kryesues i Këshillit Prokurorial dhe se, sipas tij, nuk kishte qenë duke i bërë pyetje askujt.
Përplasja u zhvillua në kuadër të raportimit për punën e Prokurorisë Speciale gjatë vitit 2025, ndërsa pas përfundimit të raportimit, KPK-ja nuk e miratoi raportin e paraqitur nga Isufaj. Raporti mori katër vota kundër, ndërsa tri anëtarë votuan për miratimin e tij.
Anëtari Visar Krasniqi tha se nuk kishte marrë përgjigje për disa nga pyetjet e tij, veçanërisht lidhur me zbatimin e sistemit të ndarjes elektronike të lëndëve. Për këtë arsye, ai deklaroi se do të votonte kundër raportit.
Kundër raportit votuan edhe Dardan Vuniqi, Elza Bajrami-Kastrati dhe Arlinda Muqa, ndërsa pro tij votuan Arian Gashi, Zejnullah Gashi dhe Milot Krasniqi. Pas refuzimit, raporti iu kthye Isufajt, ndërsa KPK-ja njoftoi se pjesa për publikim do të procedohej nga sekretariati.






