Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 35 personave, të cilët dyshohen për përfshirje në krime lufte kundër popullsisë civile gjatë sulmit në lagjen Jashari në Prekaz të Skenderajt, më 5, 6 dhe 7 mars 1998.
Në mesin e personave të akuzuar është edhe Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legija”, i cili sipas Prokurorisë Speciale dyshohet se kishte rol udhëheqës në strukturat speciale të Policisë së Serbisë.
Prokurori i rastit, Valdet Gashi, ka bërë të ditur se Ulemek drejtonte Njësinë për Operacione Speciale të Serbisë dhe se kishte për detyrë të organizonte sulmin e drejtpërdrejtë ndaj shtëpisë së familjes së Shaban Jasharit.
Sipas deklarimit të prokurorit, sulmi ndaj shtëpisë së Jasharajve nuk ishte thjesht pjesë e një operacioni të përgjithshëm, por dyshohet se ishte edhe kërkesë e posaçme e Ulemekut.
“Legija” është një prej 35 personave që Prokuroria Speciale thotë se janë identifikuar gjatë hetimit. Sipas prokurorit Gashi, të pandehurit kanë pasur pozita të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të Policisë Serbe.
Prokuroria ka deklaruar se hetimi është mbështetur në prova materiale dhe personale, ndërsa pretendimet lidhen me veprimet e kryera gjatë ofensivës së forcave serbe në Prekaz në marsin e vitit 1998.
Sipas të dhënave të paraqitura nga Prokuroria Speciale, gjatë sulmit u vranë 26 civilë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e ka cilësuar dorëzimin e aktakuzës si një hap të rëndësishëm në përmbushjen e mandatit ligjor. Ai ka theksuar se kjo është aktakuza e parë që lidhet me vrasjen e civilëve të familjes Jashari në Prekaz dhe se tashmë i takon gjykatës të vlerësojë aktakuzën dhe provat e paraqitura.
Rasti tashmë është para gjykatës, ndërsa përgjegjësia penale e personave të përfshirë do të përcaktohet përmes procedurave gjyqësore dhe vendimit përfundimtar.







